Dita e Hapur në Gjykatë – Studentët e Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë mirëpriti sot studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Shkodrës, në një aktivitet të dedikuar forcimit të lidhjes ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe komunitetit akademik.

Studentët u pritën nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, si edhe nga gjyqtarët Margarita Buhali dhe Gentian Medja, ndihmësmagjistratja Alda Sadiku dhe përfaqësuesja e Qendrës së Dokumentacionit, Edis Mustafa.

Gjatë vizitës, studentët u njohën nga afër me funksionimin dhe organizimin e Gjykatës së Lartë, zhvilluan një tur në ambientet e saj dhe morën informacion të detajuar mbi rolin dhe përgjegjësitë e gjyqtarit në sistemin gjyqësor.
Kryetari dhe gjyqtarët ndanë me ta përvojën profesionale, duke u ndalur te rëndësia e vendimeve gjyqësore, roli i vendimeve njësuese në konsolidimin e praktikës gjyqësore dhe ndikimi i tyre në jurisprudencë dhe në jetën shoqërore.
Studentët u njohën gjithashtu me organizimin e njësisë ligjore dhe mundësitë për t’u bërë pjesë e saj pas përfundimit të studimeve të thelluara, si edhe me rolin e Qendrës së Dokumentacionit dhe platformës “Judix” në aksesin ndaj praktikës gjyqësore.
Gjatë bashkëbisedimit, studentët drejtuan pyetje mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke marrë përgjigje dhe sqarime të detajuara që nxitën reflektim profesional mbi garantimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Në përmbledhje të mesazheve të përcjella gjatë takimit:
“Drejtësia nuk është vetëm zbatim i ligjit, por përgjegjësi e përditshme për të garantuar barazinë, sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve. Roli i gjyqtarit kërkon integritet, profesionalizëm dhe kurajë për të vendosur drejt, ndërsa vendimet gjyqësore, veçanërisht ato njësuese, janë themel në ndërtimin e një jurisprudence të qëndrueshme dhe me ndikim real në shoqëri.”